Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mbledhja e sotme e kryesisë socialiste do të vendosë për strategjinë që do të ndiqet në fushatën zgjedhore.

Ilir Zela:- “Nga vëzhgimi paraprak duket që është bërë një punë mjaft e mirë, që përmes kësaj platforme, të evidentohen qartë se cilat kanë qenë pikat tona më të forta në reformën e pushtetit vendor në Shqipëri, për rezultatet që kjo reformë ka sjellë për njerëzit, duke e afruar pushtetin më pranë tyre”.

Anëtari i kryesisë Ilir Zela thotë, se PS nuk do të dalë vetëm me një slogan, por me më shumë. Ndërkohë që pohon mospëlqimin e kreut socialist Nano ndaj propozimit të kryebashkiakut aktual Rama.

Ilir Zela:- “Ka disa propozime për slogane, mendoj se do të dalim me disa slogane, por këto do të bëhen të ditura pas mbledhjes së kryesisë”.

Ende nuk është vendosur se kush do të drejtorë fushatën e kryebashkiakut të Tiranës, PS apo vetë Edi Rama.

Ilir Zela:- “Fushata është fushatë e PS dhe kandidatët që ne kandidojmë, janë kandidatë të PS, pra nuk mund të ketë një ndarje mes PS dhe kandidatëve të saj në këto zgjedhje”.

Bardhyl Agasi:– “Kuptohet që fushata do të udhëhiqet nga vetë zoti Rama dhe me mbështetjen e gjithë partisë në Tiranë”.

Zela dhe Agasi mohojnë debatet në mbledhjen e sotme të kryesisë, për ish-kryeministrin Meta. Sipas tyre, Ilir Meta do të jetë pjesë aktive e fushatës elektorale në PS./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj