Pavarësisht krizës financiare dhe luftërave të pambaruara amerikanët janë tejet optimist se presidenti i 44-të i vendit, Barack Obama, do të arrijë të rimëkëmbë ekonominë e trazuar të vendit.
Këtë e tregojnë sondazhet e shumta të CNN, Uashington Post dhe News Week. Sipas gjigantëve mediatik popullariteti i Obamës vazhdon të kapë majat duke arritur deri në 85% të preferencave edhe në ditën historike të marrjes së detyrës.
Amerika ka lënë pezull frikën për kolapsin ekonomik të bindur se administrata Obama do të përballet me dinjitet me krizën.
Ajo çka i bën amerikanët optimistë është se presidenti i parë afro-amerikan ka gjetur kurajën të pranojë se Amerika është në krizë.
Është e nevojshme që të gjithë të punojnë për ta nxjerrë atë nga kjo vorbull dhe ajo çka është më e rëndësishmja është se gjërat mund të përkeqësohen përpara se të përmirësohen.
Përsa i përket politikës së jashtme, një tjetër barrë e rëndë kjo për administratën Obama. 62% e amerikanëve janë të besimit se ai do të arrijë të tërheqë trupat amerikane nga Iraku pa destabilizuar situatën atje.
Kjo ishte një pikë e rëndësishme e debatit mes presidentit të larguar, Xhorxh Bush, dhe Obamës.
Në situatën në Afganistan publiku amerikan është pak pesimist. Vetëm 48% e të intervistuarve besojnë se Obama do të arrijë të mundë Al Kaedën dhe talebanët atje.
Për amerikanët tani çdo gjë është e mundur edhe për vetë faktin se ajo që dikur dukej e paimagjinueshme ndodhi, presidenti afro-amerikan merr detyrën duke rinovuar një simbol të progresit racial dhe rikonfirmuar se Amerika është vendi i mundësive.
Megjithatë pavarësisht optimizmit dhe besimit të publikut sfidat e Obamës janë aq dërrmuese e aq të mëdha sa mund edhe të mendohet qoftë edhe për një sekondë zhgënjimi i thellë i moszgjidhjes së tyre./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle