Hapet fushata zgjedhore në universitetet publike për të zgjedhur drejtuesit e rinj duke nisur nga rektori, dekani, shefat e departamenteve, por edhe anëtarët e senateve akdemike. Por në këto zgjedhje të cilat mbahen më 21 Qershor, në universitetet kryesore ka vetëm nga një kandidat në garë.
Në universitetin e Mjekësisë në vend të rektorit Arben Gjatës, i cili ka plotësuar kushtin ligjor prej dy mandatesh dhe nuk mund të rikandidajë më, në garë është futur vetëm Xheladin Draçini, i cili është dekan i fakultetit të Mjekësisë.
Edhe në universitetin Politeknik rektori aktual Andrea Maliqari, i cili ka mbajtur dy mandate në krye të këtij insitutcioni nuk mundet të rifutet në garë dhe për këtë post kandidon Akli Fundo. Në universitetin Bujqësor rektori aktual Fatbardh Sallaku garon për një mandate të dytë dhe nuk ka kandidat tjetër. Po ashtu edhe tek universiteti i Tiranës në garën për rektor është vetëm Artan Hoxha i cili kërkon një mandat të dytë.
Ndërsa pjesë e garës për drejtuesit e fakulteteve të universitetit të Tiranës në tre prej tyre ka vetëm nga një kandidat. Tek ekonomiku garon për dekan Bernard Dosti, tek Juridiku Dorina Hoxha dhe tek Gjuhët e Huaja, Esmeralda Kromidha kërkon një mandat të dytë. Ndërsa tek Filologjiku janë dy kandidate, Mark Marku dhe Dhimitër Doku të cilët janë në garë për dekan. Edhe tek dy fakultet e tjera Shkencat e Natyrës dhe Shkencat Sociale ka nga dy kandidatë.
Në zgjedhjet që do të mbahen më 21 Qershor do të votojnë edhe studentët, pEsha e votës së tyre është 10% e totalit.
Klan News