Sondazhi i qendrës humanistike “Gani Bobi” i kryer dy javë para zgjedhjeve, e nxjerr Partinë Demokratike fitues në rang kombëtar. I publikuar në emisionin “Opinon” të gazetarit Blendi Fevziut në Tv Klan, sondazhi në të cilin janë pyetur mbi 2100 qytetarë është kryer në 12 qarqe, gjatë datave 5-15 qershor.

Sipas anketës në zgjedhjet e 28 qershorit, Partia Demokratike fiton me 41,5% të votave, ose 72 deputetë në legjislaturën e re. Partia Socialiste 33.1% të votave ose 62 deputetë. Lëvizja Socialiste për Integrim merr 3.1% të votave ose 5 deputetë, ndërsa G99 2.3% me një deputet në parlamentin e ri. Numrin më të madh të deputetëve, Partia Demokratike i merr në qytetet e Shkodrës, Korçës, Tiranës, Fierit, Elbasanit, dhe Durrësit.

Përfaqësuesi i qendrës humanistike, Shkëlzen Maliqi, ka publikuar edhe sondazhin për qytetin e Korçës. Ky anketim është kryer me 1600 të pyetur në datat 4-14 qershor. Edhe në këtë qark, Partia Demokratike rezulton fituese me 44.9% e ndjekur nga Partia Socialiste me 31.4%, Lëvizja Socialiste për Integrim, merr 1.6 % të votave e ndjekur nga G99 me 1.5%. Anketimi shënon edhe një herë epërsinë e ndjeshme të demokrateve ndaj socialistëve në këtë qark, me 13.5%. 

Mbrëmja në Opinion risolli në ekran të gjitha sondazhet e deritanishme jo vetëm të qendrës Gani Bobi, por edhe ato te publikuar në televizionet e tjera, të cilët tregojnë një fitore të qartë të së djathtës në zgjedhjet e 28 qershorit.

Në tre sondazhet e fundit të publikuara qoftë nga Zogbi, në Top Channel, IPR Marketing në Ora News dhe ai i Gani Bobit, në Tv Klan nxjerrin thuajse të njëjtin rezultat: Partia Demokratike është fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit./tvklan.al