Me arrestimin e Erion Veliajt, Partia Socialiste në Tiranë ka humbur një nga drejtuesit e saj politik në terren për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Kjo ka bërë që Kryeministri Edi Rama të angazhohet së bashku me pjesën tjetër të stafit të Tiranës për garën elektorale në kryeqytet.
Në aktivitetin e 115-vjetorit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë, Rama foli para punonjësve të Bashkisë së Tiranës, funksionarëve të PS e personaliteteve të tjera, ku tha se me arrestimin e Veliajt, tashmë është e qartë që duhet angazhimi i tij në kryeqytet.
Sipas Ramës, qarku i Tiranës do t’i japë Partisë Socialiste numrin më të madh të deputetëve si asnjëherë më parë.
“Unë kryetar bashkie kam qenë, mbase jo aq i zoti sa kryetari juaj, por gjithsesi sot që Tirana dhe Shqipëria ma kanë marrë gjithë pigmentin e flokëve, diçka kam edhe unë që mund të bëj në mbështetje të tyre. Kështu që do takohemi rregullisht, do diskutojmë rregullisht, do planifikojmë rregullisht. Do planifikoni ju, unë thjesht do them kjo s’është mirë, kjo është mirë. Së bashku me të gjithë deputetët e Tiranës, me të gjithë punonjësit e bashkisë, me të gjithë rrjetin e fuqisë së Tiranës do bëjmë që sezoni i verës të jetës spektakolar dhe të jetë vazhdimi më i ëmbël i mbylljes së sezonit të Pranverës më 11 Maj, kur falë edhe blerjes më të fundit që ka bërë skuadra, marrjes së Erjon Braçes në Tiranë, kutitë e votimit do të jenë një mavi flakëritëse cep e më cep, në çdo njësi, në çdo lagje, në çdo qendër. Patjetër që vetëvetiu falë edhe asaj që ndodhi dje, edhe për mua është e qartë që edhe unë do të jem këtu në Tiranë bashkë me gjithë skuadrën e Tiranës. Nuk diskutohet që më 11 Maj, Tirana do t’i japë Shqipërisë numrin më të madh që i ka dhënë ndonjëherë të deputetëve të forcës më të madhe politike të shqiptarëve”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Megjithatë, kryesocialisti nuk e bëri të qartë nëse do të kandidojë për deputet në qarkun e Tiranës.
Kujtojmë se në zgjedhjet e mëparshme, Rama ka kandiduar për deputet në Vlorë dhe Durrës.
/tvklan.al