Partitë më të mëdha shqiptare në Maqedoni me sa duket nuk kanë nxjerrë mësim nga incidentet zgjedhore të vitit të kaluar. Në prag të zgjedhjeve të reja lokale dhe presidenciale të cilat do të mbahen më 22 mars të këtij viti as BDI e PDSH nuk tregojnë disponim konkret për të biseduar mes veti për evitimin e këtyre incidenteve.
“Si shtet dhe pushtet marrim përsipër gjitha përgjegjësitë për organizimin e kushteve që zgjedhjet e ardhshme lokale dhe presidenciale të kalojnë në atmosferë solemne. Qytetari të mund të shfrytëzojë të drejtën e tij të garantuar me ligj dhe kushtetutë.”
Menduh Thaçi: “Nuk ka BDI nuk ka forcë, këta janë shërbëtorët e Gruevskit. Ne më mirë bëjmë dialog me Gruevskin se me BDI.”
Ndërkohë me afrimin e zgjedhjeve lokale dhe presidenciale shtohet frika për përsëritje të mundshme të incidenteve nga zgjedhjet e kaluara parlamentare. Incidentet në këto zgjedhje ndodhën në pjesët e Maqedonisë të banuara me shqiptarë, kurse në fshatin Haraçinë të Shkupit pati edhe një viktimë.
Analistët politik në Shkup shprehen të habitur nga mungesa e disponimit për bisedime të drejtpërdrejta në këtë temë mes BDI-së dhe PDSH.
“Vetëm politikanë jo serioz në këtë moment tepër delikat për shqiptarët e Maqedonisë mund të mos kenë vullnet apo mund të mos shprehin gatishmëri për të marrë pjesë në bisedime në momentin kur gjatë vitit të kaluar 2008, qartje të caktuara politike. Respektivisht antishqiptare, arritën prapë shqiptarët si të them t’i paraqesin në Maqedoni si elementë të rrezikshëm, si elementë jo stabël, si elementë problematik në Ballkan.”
Përfaqësuesit e BE-së edhe zyrtarisht kanë bërë të ditur se zbatimi i zgjedhjeve të rregullta është kushti i 9 për Maqedoninë që të fillojë negociata për anëtarësim në BE.
Nga Shkupi për TV Klan Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu