Opozita ka shprehur mbështetjen e saj ndaj kandidaturës së përzgjedhur, për të garuar në zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu.
Përmes një deklarate, Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehu, thotë se kandidatura e Sheferedinit është zgjedhja më e mirë e opozitës për qytetarët e Dibrës.
“ LZHK-ja mbështet fortësisht kandidaturën e përbashkët të koalicionit opozitar të z Sherefedin Shehu për Bashkinë e Dibrës.
Është zgjedhja më e mire, jo thjeshtë për opozitën por për të gjithë popullin e Dibrës.
Sherefedin Shehu përfaqëson intelektualin, njeriun e Dibrës por, edhe profesionistin dhe administratorin e mirë të shtetit. Kjo tregon vlerësimin që opozita i ka bërë qytetarëve të Dibrës, që të ketë mundësinë të drejtohet nga një intelektual dhe një njeri me eskperiencë të gjatë administrative.
Ky është një shans i madh për qytetarët e Dibrës, por edhe për të gjithë shqiptarët në përgjithësi që të japin një sinjal kthese për rindërtimin e shtetit shqiptar duke filluar me mbështetjen lokale. Do të jetë një ugur i mbarë fitorja e zotit Sherefedin Shehu edhe për zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm për Dibrën por për gjithë Shqipërinë.”
Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, do të jetë kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet që do të mbahen në 11 Shtator në Bashkinë e Dibrës.
Emri i tij u konfirmua një natë më parë nga selia blu, që është gati për të nisur fushatën për zgjedhjet e pjessshme lokale. Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Dibrës erdhën pas shkarkimit nga detyra të Shukri Xhelilit, si pasojë e videoskandalit, ku ai rezultoi i përfshirë.
/tvklan.al