Trageti i linjës Ankona-Durrës ka marrë rreth orës 12 të paradites sinjalin SOS nga një gomone peshkimi, e cila rrezikonte mbytjen në det të hapur.

Mjeti lundrues me tre persona në bord është lokalizuar nga radarët në ujërat territoriale malazeze.

Në mesazhin SOS dhënë kapitenit të anijes “Adriatika” njëri prej peshkatarëve ka mundur të thotë vetëm emrin e tij, Romeo Burizi, dhe faktin se gomonia rrezikonte mbytjen.

Identiteti i peshkatarit është konfirmuar dhe nga familjarët e tij në kapitanerinë e portit të Vlorës, e cila në bashkëpunim me policinë bregdetare të Durrësit, Shëngjinit dhe rojës kufitare malazeze kanë filluar operacionin e kërkim-shpëtimit.

Anastas Goga: “Që nga ora 8:20 në kapitanerinë e portit të Vlorës është iniciuar një operacion kërkim-shpëtimi nga një informacion, bashkëshortja e një personi, e cila ka ardhur në kapitaneri dhe ka deklaruar që burri i saj nuk është kthyer në shtëpi dhe ka dalë në det. Të dhënat e fundit që kemi marrë janë të minutave të mëparshme, që disa minuta të mëparshme që vijnë nga familjarët dhe aktualisht personat qëndrojnë në barkë. Janë në gjendje të vështirë. Koha përkeqësohet”.

Tre peshkatarët janë nisur që prej ditës së diel për peshkim dhe kanë komunikuar me të afërmit e tyre vetëm me celular.

Shkak i humbjes së orientimit nga peshkatarët mendohet të jetë një defekt i mundshëm në motorin e gomones si dhe deti i dallgëzuar./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani