Lajme Arkiva 2003

Helios Billa djali i një biznesmeni nga Vlora është zhdukur pa gjurmë që prej mbrëmjes së të hënës. Babai i fëmijës Kosta Billa ka denoncuar në polici pas një telefonate të bërë. Personi që ka telefonuar në numrin celular të Kosta Billës ka thënë vetëm se djali është marrë peng dhe se do të lirohet pas pagesës së një shume parash për të cilën do të njoftohet më pas në telefon.

Që prej këtij momenti në apartamentin e familjes Billa presin e ankth një telefonatë për fatin e djalit të tyre. E këshilluar nga policia të mos intervistohen në media nëna e 15-vjeçarit tregon jashtë kamerës se djali i saj pasditen e një dite më parë ka dalë dy herë nga shtëpia.

Fillimisht rreth orës 6 pasdite për të takuar një bashkëmoshatarin e tij shok i njohur kohët e fundit me 15-vjeçarin Helios, të cilit duhet t’i kthente disa disqe të marra më parë. Pasi nuk e ka gjetur shokun e tij në shtëpi, djali ka shkuar sërish pas orës 21:00 për të dorëzuar disqet e marra. Është parë rreth orës 21:30 të mbrëmjes në një bllok pallatesh pranë rrugës kryesore duke u kthyer për në shtëpi nga një i njohur i familjes.

Ndërsa 10 minuta pas kësaj, Kosta Billa ka marrë telefonatën që njoftonte si i biri është marrë peng. Një grup hetimor po punon pranë drejtorisë së policisë së rrethit për gjetjen e djalit. Disa orë pas denoncimit, policia ka arritur të zbardh faktin se telefonata është bërë nga një telefon publik.

Janë pyetur deri më tani mjaft nga moshatarët shokë të Helios që kanë takuar djalin një ditë më parë. Puna për zbardhjen e pengmarrjes po drejtohet edhe nga drejtori i antikrimit në ministri Sokol Bizhga.

Familja Billa në Vlorë njihet si pronare e ish ndërmarrjes artistike. Para 10 vitesh Kosta Billa drejtues i kësaj ndërmarrje kishte privatizuar ish artistiken duke e kthyer në sipërmarrje për prodhimin e mobilieve dhe punimeve artistike që tregtohen në Itali. Firma mban pikërisht emrin e djalit të rrëmbyer Helios dhe ka rreth 600 punëtor të punësuar. Nuk dihet me saktësi vlera kapitale e pronës Kosta Billës dhe dy djemve të tij 15 dhe 17 vjeç./tvklan.al