Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Është zhvarrosur në fshatin Goskovë të Korçës, kufoma e Gazmend Tahirllarit, i cili vdiq një javë më parë në spitalin e Korçës, pasi ishte shoqëruar nga policia e këtij rrethi. Trupi i Tahirllarit u zhvendos pas pretendimeve të familjes dhe të Avokatit të Popullit, se vdekja e tij ishte shkaktuar nga dhuna e ushtruar nga policia gjatë ndalimit.

Sokrat Meksi:- “Avokati i Popullit, zoti Ermir Dobjani, ka menduar se ishte një veprim më se i nevojshëm, me qëllim që rezultati të jetë sa më objektiv”.

Në kartelën mjekësore dhe konkluzionet e autopsisë të realizuar në spitalin e qytetit, vdekja e Tahirllarit, cilësohet si vdekje e shkaktuar nga sasia e madhe e alkolit në gjak për shkak të pijes. Sot trupit pa jetë i është bërë analiza dhe vëzhgimi nga një grup ekspertësh të Institutit të Mjekësisë Ligjore, kryesuar nga drejtori i këtij instituti Sokrat Meksi.

Pasi përfundoi ekspertiza e trupit është bërë sërisht varrosja e Gazmend Tahirllarit, ndërsa mjekët ekspertë do të konfirmojë rezultatet zyrtare pas disa ditësh. Pritet që kjo ekspertizë të nxjerrë përfundimisht, nëse Tahirllari ka gjetur vdekjen si pasojë e dhunës, apo për shkak të gjendjes së komës që ka ardhur pas konsumit të tepërt të pijes alkolike./tvklan.al