Gjeorgjia shpalli sot gjendjen e luftës.
Mikheil Saakashvili: “Ne jemi në gjendje të vetëmbrojtjes kundër agresionit të huaj që po vjen nga forcat tokësore, ajrore dhe detare të Federatës Ruse. Presim që komuniteti ndërkombëtar dhe liderët botërorë të reagojnë. Mendoj se ka ardhur koha të lëvizim nga fjalët tek veprat. Ky vend tani po lufton për mbijetesën e vet.”
Avionët rusë bombarduan sot Tbilisin duke çuar në evakuimin e parlamentit dhe ndërtesave të tjera qeveritare.
Bombat ranë edhe në qytetet e Gorit dhe Potit. Ka të dhëna për shpërthime të fuqishme dhe dëshmitarë të shumtë kanë parë shtëllunga tymi të dendur mbi qytet. Flitet për shumë viktima në radhët e civilëve dhe ushtarëve.
Ndërkaq luftimet në Oseti mes forcave gjeorgjiane dhe atyre ruse për të marrë kontrollin e këtij territori vazhdojnë.
Komandanti i forcave ruse në terren, Vladimir Boldirev, tha se ushtarët e tij e kanë çliruar plotësisht kryeqendrën e Osetisë së Jugut, Tskhinvali, duke i dëbuar forcat gjeorgjiane jashtë qytetit, por nga ana tjetër në konflikt po përfshihet edhe Abhkazia, separatistët e së cilës nisën një operacion ushtarak për të zmbrapsur forcat gjeorgjiane nga grykat e Kodorit duke hapur de facto një front tjetër lufte përballë forcave të Tbilisit.
Burime ruse pohojnë se 30 mijë persona nga Osetia e Jugut kanë hyrë në territorin rus. Kjo shifër përfaqëson gati gjysmën e popullsisë së Osetisë së Jugut, çka sipas Ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, përkthehet në një katastrofë humanitare.
Mbi 1500 ka shkuar numri i të vdekurve nga luftimet. Presidenti rus, Medvedev, u shpreh më herët se çdo pjesë e Gjeorgjisë që përdoret si bazë për të sulmuar caqet në Osetinë e Jugut nuk do të jetë e sigurt.
Dimitri Medvedev: “Operacioni i paqeruajtësve dhe ushtarëve tanë ka si synim të detyrojë Gjeorgjinë të marrë rrugën e paqes, por dhe të mbrojë popullsinë civile.”
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, i bëri thirrje Rusisë t’i japë fund bombardimeve.
Xhorxh Bush: “Jam shumë i shqetësuar për situatën në Gjeorgji. Kjo situatë mund të zgjidhet në mënyrë paqësore. Gjeorgjia është një shtet sovran dhe integriteti i saj territorial duhet të respektohet. Bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës”.
Përshkallëzimi i krizës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë ka shkaktuar një mori reagimesh diplomatike anë e kënd botës ku kërkohet armëpushimi i menjëhershëm dhe marrja e masave për sigurinë e civilëve./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle