Një performancë moderne pa lënë pas jehonën e mitikës. Këto imazhe përcolli tragjedia “Elektra e Euripidit” ngjitur në Amfiteatrin Antik të Butrintit në natën e dytë të Festivalit teatror të Butrintit.

Trupa greke e Athinës, e drejtuar nga regjisorja dhe koreografja Sofia Spiratau mbërriti të përçojë tek spektatorët shqiptarë, jo vetëm me fjalën por, edhe gjestikulacionet e lirshme në skenën antike, motivin mitik mbi të cilin u shkrua tragjedia atë të lidhjeve të gjakut dhe krimit brenda familjes. Ndër spektatorët që ndiqnin ketë shfaqje nuk mungonte aktorja e njohur Rajmonda Bulku.

Rajmonda Bulku: “Gjithmonë trupat greke na sjellin kështu performanca të jashtëzakonshme dhe shumë, shumë interesante. Është një kënaqësi e veçantë

ta ndjekësh nga ky amfiteatër që për ne është një krenari e të gjithëve ne, e prejardhjes tonë, e kulturës tonë dhe që duhet ta ruajmë ta mbajmë fort.”

Festivali i Butrintit i mbërritur në edicionin e tij jubile të dhjetë vjetorit u çel me tragjedinë “Pasioni i grave trojane”, vënë në skenë nga trupa italiane me regjisor Salvatore Tramacere e Antonio Pizzicato.

Pas trupës greke në natën e tretë të festivalit do të performojë teatri Dodona nga Kosova, që kanë zgjedhur për të ngjitur në Amfiteatrin e Butrintit, një tjetër tragjedi greke, “Fedra”.

Një trupë turke do të interpretojë për herë të parë në këtë skenë pjesën “Dervishi dhe vdekja”, festivalin e Butrintit do ta përmbyllë trupa franceze me “Këngën e këngëve”./tvklan.al