Banorët e Vlorës, por dhe qindra turistë kanë patur mundësinë të ndjekin nga afër një nga sportet më interesant në botë, Cliff diving.
Tre sportistë të njohur, të ardhur nga Franca, Kolumbia dhe Serbia janë hedhur nga një lartësi prej 24 metrash duke dhuruar spektakël plot emocion dhe adrenalinë të gjithë spektatorëve të pranishëm.
Sportistët kanë realizuar plot 12 hedhje në ujë, secili prej tyre nga katër të tilla me një shkallë të theksuar rrezikshmërie.
Kompania e njohur “Redbull” është iniciatore e zhvillimit të këtij aktiviteti sportiv, mbështetur dhe nga bashkia e Vlorës.
Gjashtë ditë me radhë prej datës 4 Gusht, por duke vijuar dhe nesër adhuruesit e këtij sporti do të kenë mundësi ta ndjekin atë në qytetin e Vlorës.
Cliff diving ka udhëtuar prej disa ditësh përgjatë bregdetit shqiptar nga Dhërmiu, Jala e deri në Himarë.
Tre sportistët profesionistë kanë vlerësuar terrenin më të përshtatshëm për të realizuar hedhjet nga lartësi të konsiderueshme./tvklan.al