Tryeza konsultative e partive parlamentare opozitare është zhvilluar pa pjesëmarjen e Partisë Demokratike. “Zgjedhje të lira dhe të barabarta” ishte emëruesi i përbashkët i tryezës. Përfaqësuesit e spektrit të djathtë ranë dakord për një riorganizim më të mirë të opozitës, jo vetëm në kuvend, por edhe jashtë tij. Duke mbështetur lëvizjen e sukseshme të qytetarëve për rrëzimin e kryeministrit, sikundër u vlerësua nga tryeza opozitare, u ra dakord për ngritjen e grupit të punës, i cili do të merret me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe pragun elektoral, duke ftuar dhe Partinë Demokratike të marrë pjesë.
Fatmir Mediu: “E theksoj edhe njëherë, sepse e pashë sot në media, që është ideja e krijimit të një poli të tretë, nuk është aspak kështu, dua ta them para medias, është ideja që ne në parlament nuk jemi rrogtarë, ne në parlament jemi përfaqësues të opozitës dhe opozita, në gjykimin tim, nuk vendoset në rresht apo nuk duhet të bëjë lëvizje të pakoordinuara.”
U pranua propozimi i Deputetit Demokristian Lesi, që në zgjedhje të shkohet me një “qeveri hije”, ndërsa Dashamir Shehi shtoi se pazaret, me ose pa Partinë Demokratike, duhen mbyllur brenda tre-katër muajsh.
Nikollë Lesi: “Që të ngjallim një kredibilitet, përveç alternativës që u ofrojmë votuesëve, të shkojmë në votime me qeveri, që quhet zakonisht në gjuhën gazetareske, hije. Me këtë qeveri t’i thotë elektoratit, me këtë kryeministër, me këtë kabinet qeveritar, ne opozita kërkojmë votën tuaj dhe me këtë do të qeverisim dhe jo të lihemi pre e pazareve pastaj pas votimeve.”
Dashamir Shehi: “Koha e tregoi që votat u vidhkan, zgjedhjet u vonuakan, u abuzuaka, i rënka dhe prestigji, kështu që unë do të thoja që kjo do të jetë një lloj kordoni, i cili mund të na bashkojë në një interes të përbashkët politik. Kjo punë duhet bërë këto 3-4 muajt e parë të vitit, më vonë pastaj nuk ka vlerë, fillojnë ndërhyjnë faktorë të tjerë, afrojnë zgjedhjet, po u afruan zgjedhjet, fillojnë interesat, fillojnë pazaret midis partive, unë të fus ty tre deputetë ti më jep mua dy deputetë, e atëhere nuk ka më.”
Përfaqësuesit e opozitës në këtë tryezë deklaruan se nuk do të marrin pjesë në Komisionin Parlamentar Hetimor për tragjedinë e vlorës, nëse mazhoranca socialiste nuk garanton balancimin e këtij komisioni./tvklan.al