2 persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit si autorë të dyshuar të vatrave të zjarrit të regjistruara gjatë së enjtes në Kavajë dhe Rrogozhinë. Të arrestuarit mësohet të kenë qenë duke djegur mbeturina në pronën e tyre, por më pas flakët janë përhapur duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqet e mbjella me ullinj e pemë frutore.
Neutralizimi i këtyre vatrave u bë falë ndërhyrjes nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura, duke shpëtuar nga djegia banesat që ndodheshin pranë.
Duke i cilësuar si të qëllimshme, ministri i brendshëm, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit tha se tolerance është zero për këdo individ që fshihet pas çdo vatre zjarri. Gjithashtu ministri kërkoi nga bashkitë të shtojnë angazhimin e tyre.
“Ky Kuvend ka miratuar Kodin Penal ku zjarrvënien e dënon deri në 15 vite burg. Kam pasur një takim me drejtuesit e gjykatave dy ditë më parë ku i kam kërkuar mes çështjeve të tjera që kishim për diskutim edhe rastet konkrete të dënimeve ekzemplare.”
Sipas ministrit, 1300 zjarrfikës në të gjithë vendin e kanë thuajse të pamundur neutralizimin e të gjithë vatrave të zjarreve që krijohen. Nisur nga kjo Balla kërkoi dhe angazhimin vullnetar të qytetarëve.
Tv Klan