Era e fortë do të rikthehet këtë javë në Los Angeles duke e vështirësuar punën e mijëra zjarrfikësve në terren. Tre zjarre vijojnë të digjen, më i madhi ai në Palisades, vetëm 14% nën kontroll.

Pavarësisht rreziqeve në sfond, krerët e sigurisë publike u shprehën gati t’i bëjnë ballë situatës, kësaj here më mirë të përgatitur. Erërat e forta e të rrezikshme kërcënojnë të pengojnë punën për të shuar dy zjarre që deri më tani kanë rrafshuar lagje të tëra dhe u kanë marrë jetën të paktën 24 vetëve, 23 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Kryebashkiakja e qytetit të Los Angeles, Karen Bass thotë se po bëhen “përgatitje urgjente”, përpara mbërritjes së erërave me forcën e uraganit.

“Erërat e parashikuara të kombinuara me lagështi të ulët e rrisin kërcënimin nga zjarri në të gjithë qarkun e Los Anxhelosit,” tha shefi i zjarrfikësve, Anthony Marrone në një konferencë shtypi në mëngjes.

Mijëra qytetarë që duan të ndihmojnë të prekurit nga zjarret u mblodhën në një qendër të madhe donacionesh pranë pistës së automobilave Santa Anita Park në Arcadia, një qytet afër vatrës së zjarrit Eaton.

“Më duhej të dilja dhe të bëja diçka për të ndihmuar njerëzit. Ndihem shumë keq për të prekurit, ndaj erdha vetëm për të ndihmuar”, thotë vullnetarja JenniferDenhartog.

Erërat e thata të Santa Ana me shpejtësi 80 deri në 112 km/orë parashikohen të rifillojnë të hënën dhe të vazhdojnë deri të mërkurën, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit duke lëshuar paralajmërim me flamur të kuq për “situatë veçanërisht të rrezikshme”.

Flakët kanë kthyer në gërmadha lagje të tëra, duke lënë pas një peizazh apokaliptik.

Zyrtarët thanë se të paktën 12,300 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar. Rikthimi i erërave të forta kërcënon përparimin e arritur me vështirësi nga zjarrfikësit për frenimin e zjarreve.

Gjatë fundjavës, zjarrfikësit nga ajri dhe nga toka arritën të ndalojnë zjarrin e Palisades ndërsa ai pushtoi pjesën e pasur të Brentwood dhe përparoi drejt luginës së populluar të San Fernandos në veri.

Klan News