Zjarret e mëdhenj në veri të Los Anxhelesit vijojnë të përpijnë me shpejtësi hapësira të mëdha të banuara dhe të pyjëzuara edhe në ditën e 6-të të tyre.
Bilanci i të vdekurve është thelluar në 16, ku shumica prej tyre janë regjistruar në vatrën e Itonit, ndërsa 5 të tjerët në Palisejds. Autoritetet thonë se bilanci pritet të rëndohet pasi shumë banorë figurojnë në listat e të pagjeturve në zonat e shkrumbuara. Kërkimet vijojnë edhe me ndihmën e qenve nuhatës.
Vatra më e vështirë dhe më e madhe vijon të jetë ajo e Palisejdsit, ku autoritetet e kanë ende të vështirë të venë nën kontroll flakët. Ato kanë ndryshuar drejtim gjatë orëve të fundit dhe po shkojnë nga bregdeti drejt thellësisë së territorit, duke kërcënuar zona të tjera përfshirë edhe lagjen tjetër luksoze Brentud. Rreth 150 mijë njerëzve u janë dërguar thirrje për t’u evakuuar. Në rrezik janë mbi 157 mijë ndërtesa.
Aktive, aktualisht mbeten 4 vatra në total, të cilat deri më sot kanë shkrumbuar mbi 160 kilometra katrorë, mes të cilave 12 mijë ndërtesa.
Tv Klan