Një subjekt i fushës së komunikimit nga Durrësi ka denoncuar një tender të hapur nga bashkia e këtij qyteti për radio të zjarrfikësve.

“Ne jemi një aktivitet që operojmë në fushën e radio-komunikimit dhe aparaturave elektronike. Me datë 13.06.2024 Bashkia Durrës hedh një prokurim për blerje për disa radio në funksion të zjarrfikësve të Durrësit”, tha denoncuesi.

“Ne praktikisht morëm pjesë dhe ndoqëm me vëmendje renditjen e klasifikimit të pjesëmarrësve. Pamë që ishim kualifikuar si pjesëmarrës, por jo si fitues. Na bëri përshtypje pasi jemi distributorë zyrtarë të një kompanie që i prodhon këto lloj radiosh. Personalisht vumë re që zjarrfikësit pas një muaji ishin pajisur me një lloj radioje dhe si ekspertë të fushës vërtetuam që nuk kishte lidhje fare me objektin e prokurimit”, shtoi denoncuesi.

Në specifikimet teknike të tenderit, Bashkia dhe ndërmarrja e Zjarrfikësve Durrës, kanë kërkuar radio me sistem “Men Down”, që bën të mundur njoftimin e një punonjësi kur kolegu mund të jetë pa ndjenja në një situatë emergjence.

Me gjithë këtë kërkesë e megjithëse Bashkia e Durrësit e ka zhvilluar dy herë këtë tender në Tetor 2023 dhe Qershor 2024, dy kompanitë fituese nuk e kanë këtë opsion.

Gjatë trajtimit të këtij rasti abuziv, u njohëm edhe me kushtet skandaloze të zjarrfikësve të Durrësit mungesa e krevatëve, ambienteve për të ngrënë apo tualeteve normale./tvklan.al