Një shkëndije elektrike në linjën e tensionit të lartë në lagjen “Kondraq”, dyshohet se u bë shkak për zjarrin e rënë pasditen e kësaj të enjteje në Dhërmi. Në një njoftim për mediat, policia e Himarës thotë se në vendngjarje është vendosur perimetri i sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm ndërkohë që punohet për shkuarjen e zjarrit. Aktualisht nga flakët është përfshirë një sipërfaqe me bimësi dhe shkurre.
“Sot, në lagjen “Kondraq”, Dhërmi, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike si pasojë e linjës së tensionit të lartë në këtë lagje, ka rënë zjarr dhe po digjet një sipërfaqe me bimësi të ndryshme dhe shkurre. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të cilët kanë vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm”.
Shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e helikopterit të FA, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit në bashkëpunim me punonjës të OSHEE-së dhe efektivë të Policisë Himarë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, tha policia e Himarës.
Më herët reagoi edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila njoftoi se në operacion për shuarjen e flakëve ishte nisur një helikopter Cougar.
“Për shkak të terrenit të vështirë, situata ka qenë disi problematike për ndërhyrjen me mjete, por trupat janë duke punuar për të vënë në kontroll të plotë flakët. U bëjmë thirrje të gjitha strukturave vendore të ndërhyjnë menjëherë kur vënë re vatra zjarri për të mos lejuar që ato të përhapen në terren më të gjerë”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.
Ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkoi shmangien e kalimit në qafën e LLogarasë dhe bashkëpunimin e shoferëve, “të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit dhe emergjencave civile për lëvizjen e tyre, në mënyrë që të lejohen mjetet dhe efektivët të punojnë për shuarjen e zjarrit”./tvklan.al