Lajme Arkiva 2003
Zëvendës kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituara në Tiranë. Ky takim i Metës me ambasadorët është zhvilluar në prag të Samitit të Selanikut, ku Shqipëria do të marrë pjesë me një delegacion zyrtar të nivelit të lartë.
Në këtë delegacion siç është bërë e ditur zoti meta nuk do të marrë jesh. Ndërkohë zëvendës kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Meta i ka dërguar një letër kryeministrit Nano, ku i ka kërkuar shefit të tij të përfaqësohet në delegacionin shqiptar që do të takohet me krerët e Bashkimit Evropian.
Meta i ka kërkuar Nanos praninë e tij për shkak të detyrës së ka si Ministër i Jashtëm dhe nisur nga fakti që protokolli i shtetit është në varësi të ministrisë që ai drejton. Ndërkohë përgjigjja e kryeministrit mësohet të ketë qenë kundërshtuese.
Sipas Nanos formati i samitit do të jetë 1+1 president plus kryeministër dhe në delegacioni shqiptar do të përfshihet edhe Ministri i Shtetit për Integrimin Sokol Nako.
Qëllimi i Metës në organizimin e takimit me ambasadorët e vendeve të BE duket se ka qenë shprehje e angazhimit të tij dhe dikasterit që ai drejton në lidhje me punën në vazhdimin dhe prezantimi në Samitin e Selanikut.
Në këtë takim ku ka marrë pjesë edhe Ministri i Shtetit për Integrimin Sokol Nako, Meta vlerësoi përfshirjen e Kosovës në proceset e integrimit dhe pjesëmarrjen e saj në Samitin e Selanikut, duke u shprehur se çështja e statusit të saj do të zgjidhet në perspektivën e integrimit evropian.
Ai vlerësoi gjithashtu edhe hapat e hedhura për rritjen e kontributit financiar të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit perëndimor./tvklan.al