Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjykata e Tiranës ka mbartur nga viti i kaluar rreth 400 dosje penale. Ka pak ditë që në një nga sallat e kësaj gjykate vazhdojnë të regjistrohen edhe njëherë të gjitha ato dosje, shqyrtimi i gjyqësorit të të cilave nuk përfundoi vitin e kaluar.

Njëra prej tyre është dosja “Kokaina”, e cila në Mars të këtij viti mbush një vit që nga nisja e procesit, ndërsa thuajse përafërsisht me këtë kohë mbarojnë afatet e paraburgimit të të akuzuarve. Një tjetër dosje, më e vjetra në gjykatë është ajo e 14 Shtatorit, ku dhjetëra të pandehur të ndarë në tre grupe gjykohen të lirë, pasi u liruan nga burgu. I fundit prej tyre që u lirua në sallën e gjyqit është Sali Lusha, i cili pak ditë më vonë u largua për në Belgjikë.

Gazmend Brraka e Zani Caushi, të cilët vuajnë aktualisht në burgjet e sigurisë së lartë, dënimin me burg të përjetshëm, janë të pandehurit e dosjeve penale me akuzën e krijimit të bandave të armatosura dhe krime të tjera të rënda. Seanca e këtyre çështjeve në më të shumtën e rasteve, shtyhen për mungesë të palëve dhe arsye të tjera.

Edhe ish-bossi i firmës rentiere Rrapush Xhaferri dhe djali i tij i akuzuar si bashkëpunëtor në vjedhjen me anë të mashtrimit në shuma të mëdha të kreditorëve, do të paraqiten edhe në disa seanca të tjera gjatë këtij viti, deri në dhënien e vendimit.

Të gjitha dosjet e mbartura do të marrin një numër të ri regjistrimi, Përveç çështjeve penale, po regjistrohen këto ditë edhe dosjet civile, nga rreth 11 mijë çështje që regjistrohen gjatë një viti në Gjykatën e Rrethit të Tiranës, thuajse gjysma janë civile, kryesisht çështje pronësie, divorce etj./tvklan.al