Afro 1/3 e fëmijëve të grupmoshës 7-9 vjeç në Shqipëri janë mbipeshë dhe 14% obezë. Të dhënat bëhen të ditur në raportin e OBSH për Europën, referuar informacioneve të përpiluara edhe nga ISHP.

Shqipëria qëndron në vend të 12 nga 37 vende në studim për nivelin e mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët. Sipas specialistëve, të dhënat tregojnë se nga viti në vit, po rritet numri i fëmijëve mbipeshë dhe obezë.

Jolanda Hyska, specialiste e ISHP: Të dhënat tregojnë që edhe në Shqipëri, mbipesha dhe obeziteti vijon të jetë një problem i shëndetit publik pa ndryshuar trendin europain. Në nivel europian ka një rritje të ndjeshme të mbipeshës dhe obezitetit dhe ky “reing” i mbipeshës është nga 9-42% në nivel europian mes shteteve dhe Shqipëria është në “reing” 31 %, ndërsa përsa i përket obezitetit ka një vlerë shtrirje nga 3-20%, ndërsa Shqipëria është në nivel të 14%.

Krahasuar me studimin e fundit në 2020, përqindja e fëmijëve mbipeshë dhe obezë është rritur me 4 pikë. Përsa i përket vendeve të Ballkanit, Shqipëria është në të njëjtin nivel me vendet e rajonit.

Jolanda Hyska, specialiste e ISHP: Të dhënat tona janë thuajse të njëjta me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas specialistëve, ulja e mbipeshës është mjaft e rëndësishme për popullatën, pasi janë faktor risku për sëmundjet kronike, si ato kardiovaskulare, hipertensioni dhe diabeti.

Tv Klan