Duken si pasojat e një shpërthimi atomik ato që kanë lënë pas zjarret masive që vazhdojnë të shkrumbojnë veriun e Los Anxhelesit. Bilanci i viktimave është thelluar në 10, por autoritetet lokale presin që numri i të vdekurve të rritet edhe më shumë, pasi ekipet e emergjencës ende nuk kanë hyrë në shumë prej zonave të djegura.
2 vatrat e mëdha, ato të lagjeve Palisejds dhe Iton vazhdojnë të përpijnë zonat e banuara. Ato janë 2 prej 4 vatrave aktive që kanë zgjeruar në mbi 136 kilometra katrorë sipërfaqen e djegur, duke shkrumbuar një numër të madh prej 10 mijë ndërtesash. Ndër vilat luksoze të djegura së fundi është edhe ajo e Mel Gibsonit në Malibu.
Dëmi i shkaktuar nga zjarret që konsiderohen si më të rëndat në histori për nga përmasat e shkatërrimeve përllogaritet në 150 miliardë Dollarë.
Autoritetet amerikane po hetojnë edhe mbi shkaqet e shpërthimit të menjëhershëm të vatrave. Nuk përjashtohet mundësia për zjarrvënie të qëllimshme. Policia arrestoi një të dyshuar, për të cilin dëshmitarët thanë se e kishin parë duke u përpjekur të ndizte një zjarr para shpërthimit të njërës prej vatrave ntë mëdha.
Në pranga kanë rënë edhe të paktën 20 grabitës, që u kapën në flagrancë duke grabitur banesa të braktisura nga banorët pas urdhërave për evakuim.
Tv Klan