Kartolina më e bukur e këtij fund viti e cilësoi Kryebashkiaku Erion Veliaj lagjen e re te 5 Maji, aty ku sot 100 familje morën shtëpitë e reja, pjesë e programit të rindërtimit. Kjo lagje e re lidhet me bulevardin e ri dhe Kamzën. “Nga një periferi, bregu i lumit dhe kjo lagje do të jetë porta hyrëse nga veriu drejt Tiranës”, tha Veliaj.
Për Kryeministrin Edi Rama, lagja 5 Maji do të jetë ndër më modernet e Tiranës.
“Së bashku me lagjen e Kombinatit, 5 Maji do të jetë lagja më moderne e Tiranës për disa vite, ku gjejnë strehë falë këtij programi edhe familje që ishin këtu në kushte mizerabël, pa infrastrukturë, disa me legalizime, disa jo, disa më prona disa pa prona fare. Për të gjithë programi dha një rrugë të re një mundësi të re, duke iu ofruar atyre shumë më tepër se do ofronte një zhvillues privat. E gjitha kjo falas, pas asnjë kokërr leku nga xhepi i këtyre familjeve”, tha Rama.
“Muaj pas muaji do të jemi këtu për të dhënë apartamente të reja dhe jam i bindur që në fund të këtij viti ne do ta kemi përmbyllur detyrimin për ato familje që janë prekur nga tërmeti në këtë lagje dhe u takon të marrin shtëpi të re. Në vitet që vijnë do të shkojë në 11 mijë banorë. Kjo do të jetë dekada e 5 Majit të ri“, shtoi Kryeministri Rama.
Edhe nga kjo lagje, Rama la porosi bravat: “Ruani bravat mos jua ndrrojnë edhe bëni kujdes nga çelësat që nuk kanë lidhje me bravën, mbani çelësin e bravën tuaj…”./tvklan.al