Instituti i Ndërtimit: Procesi mbyllet brenda javës
112 pallate dhe 343 shtëpi të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit do të shemben.
“Ky është një nga 112 pallatet për të cilat akt-ekspertiza e thelluar e Institutit të Ndërtimit ka nxjerrë rezultatin që do të shemben. Vetëm në Vorë do të shemben 19 pallate”.
Përveç Vorës, vendimi për shembjen e pallateve dhe shtëpive private është mbyllur edhe për Kavajën, Shijakun, Lezhën. Deri tani në Durrës nuk do të shembet asnjë pallat, por do të riparohen 40 të tillë.
Në Vorë, drejtuesit të Bashkisë thanë për Televizionin Klan se pas marrjes së akt-ekspertizave të thelluara do të mblidhet Këshilli Bashkiak për miratimin e shembjes së këtyre objekteve të rrezikshme për jetën e banorëve. Pallati është bosh. Të vetmit banorë që sheh janë ata që kontrollojnë banesën e tyre nga oborri i ndërtesës dhe dy tre biznese, që edhe ata do largohen.
Brenda kësaj jave, Instituti i Ndërtimit mbyll akt-ekspertizat e thelluara nëse do të shemben apo riparohen për 316 objekte disa katëshe dhe 4075 shtëpi banimi. Nga akt-ekspertizat e thelluara rezulton se një pjesë e madhe e ndërtesave kanë pësuar dëmtime për shkak të vjetërsisë së tyre dhe cilësisë së punimeve. Por nuk mungojnë edhe ndërhyrjet në objekt, apo katet shtesë.
Tv Klan