Përmbytje apokaliptike shkaktuan në jug të Bosnjes, reshjet e dendura të shiut natën e kaluar. 19 persona humbën jetën, shumë të tjerë u lënduan.
Por sipas autoriteteve të shumtë janë edhe të zhdukurit, çka paralajmëron rëndimin e bilancit tragjik të viktimave.
Situata më e vështirë është në qytezën Donja Jabllanica rreth 90 kilometra larg Sarajevës, e shtrirë rrëzë një mali. Rrëshqitjet e tokës mbuluan disa ndërtesa dhe shkatërruan rrugët hyrëse.
Për pasojë, operacionet e kërkim shpëtimit janë të pamundura përmes rrugëve tokësore. Banorët po ndihmohen nga ajri me helikopterë.
Qeveria federale e Bosnje Hercegovinës shpalli gjendjen e katastrofës natyrore, ndërsa ngriti një shtab emergjencash.
Vendet fqinje si Kroacia ofruan menjëherë ndihmë për Bosnjen në përballimin e situatës, duke dërguar ekipe ndihmëse. Sarajeva kërkoi edhe ndihmë nga Bashkimi Europian për përballimin e situatës.
Disa shtëpi dhe rrugë janë përmbytur të premten në veri të Malit të Zi, pasi dy lumenj dolën nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në dy ditët e fundit.
Tv Klan