Era Bici është një vajzë 19-vjeçare tiktokere, e cila në fakt bashkëjeton me një sëmundje kronike lëkure prej 4 vitesh, të quajtur psoriazë. Pavarsisht kësaj, ajo ka zgjedhur të jetojë jetën dhe madje të jetë edhe një shembull frymëzimi dhe motivimi. Veç kësaj ajo është shumë aktive edhe në TikTok me video të ndryshme.

Sa i përket diagnostikimit me psoriazë, ajo e mësoi këtë gjë kur ishte 15 vjeç. Përballja me këtë sëmundje nuk u prit aq mirë prej saj pasi kaloi në një fazë depresioni, madje Era shprehet se është bullizuar nga shoqeria, mësuesit dhe është injoruar edhe nga mjekët.

Era Bici: Kam 4 vite që jam me psoriazë, ishte një rrugëtim shumë i vështirë. Në Shqipëri më thoshin që kam alergji. Në Itali bëra biopsinë. Është një problem lëkurë gjenetik që do të më shoqërojë gjithë jetën. Thjesht është paraqitje lëkure. Është pak e sikletshme, është vetëm problem i imi. Ka të bëjë me paraqitjen. Kur e kam marrë vesh nuk kam qenë optimiste. Ë përjetova pak keq dhe m’u desh kohë që të mësohesha dhe vendosa që këtë problemin ta kthej në diçka pozitive dhe nuk ka pse të ishte problem. Duhet ta doja unë veten time e para dhe pastaj të më donin të tjerët.

Isha në periudhë adoleshence dhe ishte një periudhë jo e lehtë pasi shoqëria ime kur mori vesh që kisha një problem të tillë, kishte reagime nga më të ndryshmet, “çfarë është kjo, mos të na e ngjitësh”, por mbase duhej të zgjidhnin një mënyrë më të mirë për të ma thënë. Pata shumë njerëz që m’u larguan. Kisha shumë pak njerëz që më donin për atë që isha dhe kisha shumë pak veta që më rrinin afër, flinin në një krevat me mua dhe kjo më bënte të ndihesha mirë dhe thoja që nuk paskam asnjë problem. Familja bënte më të mirën që unë të isha e lumtur. Babi më thoshte se “nuk të mungon asgjë, ka njerëz që nuk shohin, nuk dëgjojnë”. Kisha zysha që më thoshin që “kur i ke krahët ashtu mbuloji”. Më pas thoja që nuk doja të ndikohem nga ata. Për momentin jam me mjekim dhe bëj një gjilpërë./tvklan.al