Moti i keq me reshje shiu ka përfshirë gjithë territorin këtë të premte.

Në disa zona pati rënie gurësh e inertesh. Për shkak të lagështisë në rrugë, ARRSH u bën thirrje shoferëve që të tregojnë kujdes.

Ndërkaq, në Bogë-Theth dhe Tamarë-Vermosh u desh ndërhyrja e mjeteve borëpastruese.

Reshjet me kristale të bardha do të përfshijnë edhe verilindjen dhe juglindjen, madje reshjet e borës pritet të zbresin edhe në qytetet e zonave malore.

“Dita e shtunë, në orët e mbrëmjes duke qenë se do të vijojë rënia e temperaturave të ajrit, do ketë shfaqje të reshjeve të dëborës edhe në qytetet e zonave malore, si Kukësi, Peshkopia, po ashtu Erseka, Korça, gjatë mbrëmjes së të shtunës dhe në mëngjes të së dielës”, thotë sinoptikani Hakil Osmani.

Sakaq, Ultësira Perëndimore ashtu si sot edhe të shtunën do të mbizotërohet nga reshjet e shiut, që do të jenë me intensitet deri në mesatare, por jo problematike.

Kjo fundjavë sjell dimrin me temperatura që do të zbresin nën 0.

“Fundjava sjell temperatura tipike dimri. Të dielën temperatura zbret në -2 në qytetet e zonave malore, në zonat e thella akoma më të ulëta, duke sjellë ngrica. Ndërsa maksimumet do të jenë rreth vlerës 15 gradë Celsius”.

15 ditëshi i parë i muajit Dhjetor parashikohet të ketë ditë me diell dhe të ftohta, por edhe ditë me reshje në Ultësirën Perëndimore e dëborë në zonat malore.

Klan News