Politika të mos cënojë pavarësinë e prokurorisë pasi e gjitha do të ishte një hap prapa. Kjo ka qenë deklarata e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës John Withers gjatë konferencës së zhvilluar me rastin e 2 vjetorit të themelimit të Task-Forcës, njësia e krimit ekonomik. Sipas numrit të një të diplomacisë amerikane në Tiranë, mbrojtja e pavarësisë së prokurorisë është një garanci për proceset demokratike në vend.

John Withers: “Prokurorët duhet të jenë të pavarur dhe të lirë nga çdo shtrëngim politik, ata duhet të jenë të lirë të ndjekin provat kudo që ato çojnë dhe duhet të kenë kurajën të bëjnë diçka të tillë. Shqipëria duhet të jetë e përkushtuar të mbrojë pavarësinë e prokurorëve pasi çdo kërcënim që bëhet është një hap i qartë prapa. Nuk duhet të ketë asnjë presion politik mbi prokurorinë.”

Të pranishëm në këtë konferencë kanë qenë dhe prokuroria e përgjithshëm Ina Rama dhe ministri i Brendshëm Bujar Nishani, të cilët kanë vlerësuar rolin e rëndësishëm të Task-Forcës që ka patur në luftën kundër krimit ekonomik.

Ina Rama: “Krijimi i njësisë së përbashkët hetimore para rreth 2 vitesh, erdhi si rezultat i një vlerësimi të drejtë të situatës së kriminalitetit në vend dhe veçanërisht i situatës shqetësuese të zhvillimit të krimit ekonomik dhe korrupsionit në vendin tonë. Që nga krijimi e deri më sot mund të themi që kemi të bëjmë me rezultate të suksesshme dhe pozitive me një tendencë në rritje ët vazhdueshme. Për shkak dhe të faktit se numri i rasteve të hetimit dhe dërgimit për gjykim të çështjeve për korrupsion është rritur në mënyrë të ndjeshme.”

Bujar Nishani: “Eksperienca pozitive dhe arritjet e kësaj  njësie janë një tregues i qartë i bashkëpunimit të suksesshëm midis institucioneve tona dhe organizmave partnere ndërkombëtare që na asistojnë. Për ne ngritja e kësaj njësie është konsideruar si një instrument i rëndësishëm në luftën për parandalimin e korrupsionit dhe krimit në përgjithësi.”

Në fjalën e tij ambasadori Withers ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për krijimin e 6 njësive të tjera të Task Forcës në qytete si Vlora, Durrësi, Shkodra, Gjirokastra, Korça dhe Fieri./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi