Vajzat dhe gratë sipërmarrëse në vendin tonë po mbështeten edhe nga financimet e buxhetit te shtetit. Nëpërmjet fondit të alokuar nga qeveria shqiptare, me një vlerë prej rreth 300 milionë lekësh, vajzat dhe gratë sipërmarrëse janë financuar për të zhvilluar sipërmarrjet e tyre. Detajet në lidhje me këtë proces na i jep në “Pro Business” në Tv Klan drejtori i “Start Up Albania”, Arjan Ymeri.

“Financimi i sipërmarrësve shqiptarë, jo vetëm të rinj, por sipërmarrës në përgjithësi është në një fokus më të veçantë te gratë dhe vajzat. Ne kemi implementuar ose shpallur 2 thirrje brenda vitit 2024, një në Mars ku aplikuan 538 projekte ose po themi kompani nga të cilat u shpallën 94 fitues me një vlerë financimi 297 milionë lekë dhe 30% e tyre ishin të përbëra nga më shumë se 2/3 vajza ose gra, ose themeluese që ishin një grua ose vajzë. Numri i aplikantëve të përbërë nga kjo demografi ka qenë gjithmonë 60/40(burra/gra).”

Ymeri tregon se interesi ka qenë i lartë nga gratë edhe për aplikimet e këtij viti, ku 47% të këtyre aplikimeve e zënë gratë dhe vajzat.

“Aplikimet janë rritur me 10% nga vajzat dhe gratë, pra kemi 53% kompani të përbëra nga meshkuj/burra dhe 47% ishin gra dhe vajza. Ne këtë e shohim me pozitivitet sepse kemi një numër të madh nga hulumtues shkencorë që vijnë nga universitete tek kjo demografi. Shpresojmë që ky numër mos të bjerë në momentin e financimit, pasi ky është një moment i dytë pasi janë kualifikuar nga komisionet e vlerësimit.”

Disa nga objektivat e Agjencisë së Start Upe-ve janë rritja e kapaciteteve për kompanitë por edhe zhvillimi i tyre përtej tregut vendas.

“Kemi me fokus kompani që kanë mundësi për të krijuar platforma/shërbime/produkte në këtë sektor. Kjo vjen pak edhe nga angazhimi që ka Shqipëria për planin e rritjes, pra “Growth Plan” dhe po shikojmë se si më shumë kompani kanë mundësinë të operojnë ose të hulumtojnë këto lloje tregu dhe të prodhojnë produkte më shumë në këtë pikë. Një objektiv tjetër që ne kemi është rritja e këtyre kompanive përtej tregut shqiptarë, po themi një objektiv shumë i rëndësishëm sepse tregun e kemi të vogël, krahasimisht me vendet e Europës. Kemi shumë tregje të mëdha afër që nuk është vetëm Bashkimi Europian, Turqia, Afrika Veriore edhe tregjet në zhvillim.”

Një pikë tjetër e rëndësishme mbetet edhe strategjia për sipërmarrjet inovative, e sidomos për gratë.

“Strategjia që qeveria shqiptare miratoi në 26 Dhjetor që quhet Strategjia për Zhvillimin e Sipërmarrjeve Inovative në Shqipëri, është një strategji që mbulon vitet 2024-2030. Një prej komponentëve kryesorë është ndihma që do t’u jepet grave dhe vajzave për të rritur, për të themeluar e zhvilluar kompanitë e tyre gjatë kësaj periudhe.”/tvklan.al