Kjo ishte pamja qe mori Prishtina kur akrepat u bashkuan mesnatën e së martës.
Spektakli i fishekzjarrëve u ndoq nga qytetarë të shumtë që kishin dalë për të festuar në rrugët e kryeqytetit të Kosovës.
Por jo çdo gjë shkoi mirë në natën e ndërrimit të viteve në Prizren, ku në rrethana të paqarta shpërtheu një dyqan i shitjes së fishekzjarrëve.
Një person mori plagë të rënda, ndërsa dëmtime të shumta materiale ka pasur edhe në banesat aty pranë dhe automjetet e parkuara. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të vënë situatën në kontroll.
Mjeket në Emergjencën e QKUK deklaruan se kanë qenë mbi 24 të lënduar nga fishekzjarrët.
“Deri tani kemi 24 raste të lajmëruara, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike. Prej tyre një ka qenë në gjendje më të rëndë që ka ardhur nga Prizreni dhe është duke u trajtuar ende, tre i kemi me lëndime në regjionin e syrit, ndërsa të tjerët kryesisht janë në ekstremitete të lënduar”, tha Agron Çitaku, shef i urgjencës në QKUK.
Të lindurit e parë të këtij viti në Kosovë kanë qenë një djalë dhe një vajzë të quajtur Diamant dhe Poema dhe që janë vizituar në maternitet edhe nga Kryeministri Albin Kurti.
“Të dy foshnjat janë të lindura me shëndet dhe i uruam jetë të gjatë bashkë me familjet tyre”, u shpreh Kurti.
Tv Klan