Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë arrestuar mëngjesin e kësaj të enjteje ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, ish-kreun e AKI-së, Bashkim Smakaj dhe ish-luftëtarin e UÇK-së, Fadil Fazliu.

I biri i Fadil Fazliut, Fahriu bëri të ditur se arrestimi i babait të tij erdhi me urdhër të Dhomave të Specializuara të Hagës, njofton Klankosova.tv.

“Sot, paradite rreth orës 8:00 të mëngjesit para banesës së tij kanë arrestuar babanë tim, Fadil Fazliun, luftëtarin e UÇK-së, vëllain e dy heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu. Me urdhër të Dhomave të Specializuara të Hagës është arrestuar dhe pritet të dërgohet për në Hagë. Ballëhapur, kokëlartë dhe gjithmonë krenar me të kaluarën tonë të lavdishme. Krenar me ty Bablok!”, ka shkruar Fazliu.

Sa i përket arrestimit të Isni Kilajt, nuk është hera e parë që ai arrestohet nga Gjykata Speciale. Ai u arrestua më 3 nëntor të vitit 2023. Aktakuza e parë i ishte ngritur më 15 dhjetor, e dyta më 11 mars, dhe ishte tërhequr për t’u plotësuar.

Kur Gjykata e liroi Kilajn në shtëpi gjatë majit, iu ngrit aktakuza e tretë më 28 qershor. Ai u arrestuar sot, më 5 dhjetor. Ndërkaq, edhe arrestimi i Fazliut nuk është diçka e re për të. Në shtator të vitit 2023, shtëpia e tij u bastis po nga kjo gjykatë e cila e arrestoi.

Për këto arrestime të njëpasnjëshme, ka reaguar Faton Klinaku, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një postim në Facebook, ai këtë veprim të Speciales e ka quajtur “gjah”, duke bërë të ditur se është informuar për këtë çështje nga raportimet në media.

“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në  media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt, por sipas informatave që po më vijnë është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu”, ka shkruar Klinaku.

Klankosova.tv ka dërguar pyetje në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ashtu edhe në EULEX, ku Këshilltari Special i Prokurorisë Speciale, Christopher Bennet ka konfirmuar arrestimet.

Hajredin Kuçi

Po sipas Klankosovës, Specialja raportohet të ketë bastisur edhe shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Disa media vendase raportojnë se edhe Kuçi është vënë në pranga, megjithatë për momentin nuk ka ende një konfirmim zyrtar.