Hashim Thaçi e Bashkim Smakaj nuk janë deklaruar lidhur me fajësinë për aktakuzën e ngritur ndaj tyre për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Thaçi ka thënë se nuk përbën pengesë dhe rrezik për askënd dhe asnjë projekt politik. Ai tha se mosrespektimi i Kushtetutës paraqet rrezik për minimin demokratik të Kosovës.
“E dini para 4 vjetësh, në 2020, u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjedhesha president i vendit. Tash para 10 ditëve, nxitimthi Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë, vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Duhet të sqarojë edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike, e as s’kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër as për deputet e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike. Ritheksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik, e as për ndonjë projekt qeverisës.”
Gjyqtarja Majorie Masselot tha se deri më 7 Janar duhet të marrin deklarimin mbi fajësinë e tyre. E nëse nuk deklarohen, atëherë gjykata do ta bëjë deklarimin e tyre të pafajshëm në emër të tyre.
Edhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi u paraqit për herë të dytë para gjykatës. Tha se nuk ka asgjë për të fshehur. Ndaj Thaçit u ngrit aktakuzë e re, e në të cilën aktakuzë përfshihen edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçit lidhur me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Tv Klan