Një 30-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë për shpërdorim detyre e falsifikim të dokumenteve të identitetit. Bëhet fjalë për një punonjës të Gjendjes Civile Vllahinë, me banim në Mertiraj të Vlorës. Bashkë me të, autoritetet njoftuan ndjekjen në gjendje të një tjetër punonjëse të Gjendjes Civile Durrës.

“Në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasve V.Z., i cili ka aplikuar për pasaportë me gjeneralitetet e një personi tjetër që kishte ndërruar jetë në vitin 1997, por nuk e kishin ç’regjistruar nga Regjistri i Gjendjes Civile, si dhe E.K, punonjësi i kompanisë ‘Aleat’, pasi i ka vënë gjurmët e gishtave për aplikim për pasaportë të personit V.Z”,

sqaron policia e Durrësit në një njoftim për mediat.

Zbulimi i këtyre personave erdhi pas një hetimi disa javor me metoda speciale të hetimit. Mbi ta rëndojnë akuzat e korrupsionit aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave, shpërdorim të detyrës dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

/tvklan.al