Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të Shtunë në Vaun e Dejës. Policia ka vënë në pranga një 38 vjeçar i cili ka tentuar të vrasë nënë e bir duke i përplasur me makinë te korsia e këmbësorëve.
Mësohet se autori i kishte kolegë 60 vjeçaren dhe të riun. Këta të fundit janë jashtë rrezikut për jetën.
“Tentoi të vriste 2 shtetas (nënë e bir), për motive të dobëta, duke i përplasur me automjet, në korsinë e dedikuar për këmbësorë, kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari. Sekuestrohet automjeti që drejtonte 38-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte përplasur me automjetin që drejtonte, 2 shtetas që po kalonin në korsinë e dedikuar për këmbësorë, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit. Në përfundim të veprimeve të kryera në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër, u arrestua në flagrancë shtetasi: M. M., 38 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Ky shtetas, më datë 15.03.2024, në Bushat, dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë, duke i përplasur me automjetin që drejtonte, në korsinë e dedikuar për këmbësorë, 2 kolegët e tij, shtetasit D. N., 60 vjeçe dhe K. N., 32 vjeç (nënë e bir), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.Automjeti që drejtonte shtetasi M. M. është sekuestruar në cilësinë e provës material”, thotë Policia./tvklan.al