Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka shprehur ngushëllimet për 4 viktimat që humbën jetën në aksidentin e rëndë në Tepelenë mbrëmjen e së dielës, ku edhe 2 të tjerë mbetën të plagosur.

Ministri Balla bën thirrje për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa thekson se Policia Rrugore duhet të rrisë kontrollet.

“I pikëlluar për humbjen e katër jetëve dhe dy të plagosur në aksidentin tragjik të natës së sotme pranë Tepelenës. Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga përdoruesit e rrugës është detyrim ligjor e përgjegjësi ndaj jetës. Ndërsa Policia Rrugore duhet të rrisë edhe më shumë kontrollet dhe forcën parandalues”, ka shkruar ministri Balla në rrjetet sociale.

Tre automjete u përplasën në aksin nacional të Tepelenës, ku 4 persona humbën jetën dhe 2 të tjerë u plagosën.

Shkak i aksidentit dyshohet humbja e kontrollit nga një prej automjeteve për shkak të shpejtësisë, që më pas përplasi edhe 2 mjetet e tjera.