Ky është momenti kur një pjesë e 49 emigrantëve të sjellë mëngjesin e kësaj të marte në portin e Shëngjinit nga anija e marinës italiane “Casiopea” janë dërguar në kampin e Gjadrit.
Pas një verifikimi që zgjati rreth 13 orë u vendos që 5 prej emigrantëve të kthehen në Itali pasi rezultuan minorenë ose me probleme shëndetësore.
Pjesa tjetër do të presë në tokën shqiptare fillimisht vendimin e Gjykatës së Romës që pritet të vendosë brenda 48 orëve për vlefshmërinë e mbajtjes së tyre në vendin tonë dhe më pas një përgjigje për kërkesën e tyre për azil.
Shumica e emigrantëve ishin nga Bangladeshi, ndërsa pjesa tjetër vinin nga Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia. Ata u panëtë zbrisnin anijen me qese në duar ku mbanin rroba dhe sendet e tyre personale.
Ky grup i tretë i emigrantëve mbërriti pas 2 muajsh pezullim te marrëveshjes Rama-Meloni për shkak të vendimeve të gjykatave në Itali që urdhëruan në dy rastet e para, dërgimin e emigrantëve në vendin fqinj.
Kjo pasi Gjykata e Romës nuk konfirmoi si të ligjshëm ndalimin e tyre për shkak se vendet e tyre të origjinës nuk ishin “të sigurt” në të gjithë territorin e tyre. Për këtë, qeveria italiane miratoi një dekret të veçantë që sipas saj u mbështet edhe nga Gjykata e Kasacionit.
Megjithatë fjalën e fundit për këtë çështje do ta thotë Gjykata Europiane e Drejtësisë që pritet të shprehet në 25 Shkurt.
Tv Klan