Rreth 300 qytetarë dyshohet se kanë kaluar në mënyrë të parregullt në aeroportin e Rinasit, nga marsi i vitit të shkuar deri në mars të këtij viti. Ata janë lejuar të kalojnë nga efektivët e policisë të cilët bashkëpunonin me Eneo Sulejmanaj, i arrestuar tashmë për trafik kokaine. Kjo skemë e gjerë korrupsioni u zbulua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Tiranës.
Shuma që qytetarët paguanin shkonte deri në 500 Euro, në varësi të problematikave që kishin. Eneo Sulejmanaj bashkëpunonte me ndihmës kontrollorin Briken Tereziu. Ky i fundit kur nuk ishte në turn i delegonte rastet tek kolegët e tjerë.
Pagesat kryheshin nga personat të cilët kishin problematika të tipit që nuk lejohen të udhëtojnë pasi kanë shkelur ditët e qëndrimit në zonën Shengen, apo janë depërtuar nga vende të Bashkimit Evropian. Në raste specifike shumë shkonte deri në 1000 Euro.
Hetimet e autoriteteve, zbuluan se 16 efektivët e policisë, me masë sigurie dhe nën hetim merrnin nga 50 Euro edhe personave që nuk kishin asnjë problematikë, por mashtroheshin prej tyre. Destinacioni i qytetarëve vihej fillimisht në një vend jashtë BE-së dhe me transit më pas udhëtonin drejt vendeve të unionit.
Për shpërdorimin e detyrës nga efektivët e policisë janë miratuar 8 masa sigurie. Briken Tereziut i është caktuar masa “arrest në burg”, por nuk është arrestuar ende nga policia. Ndaj efektivëve të tjerë ka masë sigurie, detyrim paraqitje dhe arrest në shtëpi.
Aksioni i AMP-së u përshëndet nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Po largojmë ditë pas dite nga trupa e shëndoshë e policisë elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo shkelës të etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”.
Balla nxit AMP-në të forcojë bashkëpunimin institucional me SPAK, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, si dhe me agjencitë e tjera në vend, por edhe me partnerët ndërkombëtar për të garantuar standarde të larta të integritetit dhe pastërtisë së figurës së punonjësve të policisë.
Klan News