Aktualisht janë 6 mësimdhënës të shtruar në spital

E lartë është kostoja që po paguan edhe sistemi arsimor në Shqipëri gjatë periudhës së pandemisë. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se prej muajit Mars 7 mësues e kanë humbur jetën pasi COVID-19 rezultoi për ta një infektim fatal.

Një mësuese nga Fieri është e fundit që u shkëput në mënyrë parakohshme nga mësimdhënia pasi u dorëzua përballë koronavirusit këtë të premte. Ndërsa 6 arsimtarë të tjerë janë aktualisht të shtruar në spitalet COVID, nën kujdesin e mjekëve.

Me rritjen e numrit të infektimeve ditore me COVID-19, janë shtuar edhe mungesat në radhët e arsimtarëve të përhershëm. Në muajin tetor Drejtoria e Arsimit Parauniversitar raportonte për 120 mësues zëvendësues të angazhuar në të gjithë shkollat e vendit, ndërsa përgjatë javës së dytë të nëntorit janë aktivizuar 260 mësues provizorë.

Zëvendësimet e detyrueshme janë kryer si rrjedhojë e mungesave nga infektimet me COVID-19, të vetëizolimit të përkohshëm, apo edhe të tjera shkaqe momentale. Numrin e më të lartë të zëvendësimeve e ka Tirana, pasuar nga Durrësi, Elbasani dhe Shkodra. Në rritje ka ardhur edhe numri i mungesave nga radhët e nxënësve, e cila kap një mesatare ditore prej 8000 mungesash, thuajse 1000 nxënës më shumë se 1 muaj më parë.

Tv Klan