Me një bilanc pozitiv pune të qeverisë në 7 muajt e fundit, kryeministri Berisha ka dalë para gazetarëve për t’i zbërthyer në shifra konkrete gjithçka është bërë. Ftesa për në NATO, pasuar nga firmosja e protokollit të anëtarësimit, nënshkrimi i marrëveshjes për hapjen e negociatave për liberalizimin e vizave, ishin disa nga pikat e evidentuara në fjalimin e kryetarit të qeverisë.
Ritmi i suksesshëm i reformave tha Berisha, garantoi këto zhvillime të rëndësishme për vendin. I pyetur nga gazetarët kryetari i qeverisë foli edhe mbi marrëdhëniet me opozitën, 7 muaj ishin periudha e bashkëpunimit. Konsensusi u trazua në ligjin për titujt e pronësisë dhe atë të dosjeve.
Sali Berisha: “Po ka patur debate për ligjin e titujve, unë jam mahnitur se pse opozita nuk e votoi ligjin. Opozita duhet të kishte vetëm një qëndrim për mendimin tim dhe po të isha, do të paraqiste ajo këtë ligj sepse opozita edhe në qoftë se ka një grup njerëzish me vete që kanë abuzuar, interesa i saj jetik është të çlirohet prej tyre, pse përdoret opozita.”
Kryeministri foli edhe mbi tragjedinë e Gërdecit, rindërtimi i zonës dhe dëmshpërblimi i banorëve është angazhim i qeverisë po aq sa edhe zbardhja e tragjedisë. Në këtë pikë Berisha tha se asnjë diplomat amerikan nuk ka deklaruar se qeveria po pengon hetimet.
Sali Berisha: “Së pari nuk ekziston deklaratë e asnjë diplomati dhe asnjë zyrtari që qeveria po pengon këtë hetim. Qeveria ka bërë kërkesa të caktuara në vendet mike për të kontribuar në zbardhjen e të vërtetës së këtij hetimi. Ata që mendojnë se qeveria ka penguar, ata vetëm trillojnë, jua them këtu me përgjegjësi të plotë. Ndaj dhe qeveria përkundrazi, në qoftë se ka institucion të interesuar për zbardhjen është qeveria shqiptare.”
Prodhimi dhe shpërndarja e pasaportave biometrike dhe kartave të ID, janë dy çështje për të cilat qeveria angazhohet maksimalisht të përmbushë afatet. Një çështje që për shtetasit që votojnë do të marrë zgjidhje përpara zgjedhjeve parlamentare.
Sali Berisha: “Kontrata përcakton qartë detyrimin e kompanisë për ti prodhuar në kohën e duhur para zgjedhjeve. Një problem mbetet këtu që të jem i hapur dhe këtë do e diskutoj me opozitën. Për qytetarë të cilët nuk votojnë, me opozitën së bashku mund të përcaktojmë një sanksion ligjor për këtë rast, që të bëhemi të gjithë edhe për shkak të lëvizjes edhe për shumë arsye të tjera. Kurse për ata që duan të votojnë absolutisht do ta kenë në xhep.”
Tashmë edhe zgjedhjet duhet të kenë një afat.
Sali Berisha: “Do i avancojmë, qeveria ime i avancon nuk i shtyn, i avancon. I qartë që mund të shtyhen nga korriku a gushti, por jo do i bëjmë në qershor.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi