Seanca plenare e se hënës e shtyrë pas vendimit të konferencës së kryetarëve një ditë më parë, do të mbahet pasditen e sotme në orën 17.00, ku pritet të diskutohet kodi i ri zgjedhor.

Shtyrja e tij nga krerët e grupeve në mbledhjen e së hënës u komentua si një mundësi për t’iu dhënë më shumë kohë në dispozicion deputetëve që të njihen me ndryshimet që iu bënë kodit të ri elektoral.

Ndërkaq deputetet grevistë të ngujuar prej 9 ditësh në sallën e parlamentit nëpërmjet zëdhënësit të tyre Dritan Prifti e kanë cilësuar kalimin e draftit në seancën e pasdites, një provokim nga ana e PD-së dhe PS-së.

Dritan Prifti: “Ne nuk e kuptojmë nxitimin e zonjës Topalli, apo të atyre që e urdhërojnë zonjën Topalli për të sjellë në një mënyrë të rrufeshme jashtë rregulloreve që i kanë aprovuar vetë deputetët, jashtë çdo lloj procedure normale parlamentare, të sjelli kodin zgjedhor dhe të imponohet aprovimi i tij në Kuvend. Sigurisht që deputetët grevistë, por edhe partitë parlamentare, 6 parti parlamentare që janë shprehur shumë qarë dje nuk do ta njohin këtë kod zgjedhor.”

Pak minuta pas deklaratës së bërë nga Prifti njëri prej deputetëve të ngujuar në sallën e parlamentit Ymer Tola, ka ndërprerë grevën për të marrë mjekimin e nevojshëm pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Por pavarësisht gjendjes së rënduar të 10 deputetëve, zëdhënësi i grevës Dritan Prifti shprehet se greva do të vazhdojë edhe nëse me shumicë votash parlamenti do të kalojë pasdite kodin e ri elektoral./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro