Humbin jetën 7 qytetarë të tjerë
Rritet sërish kurba e infektimeve me koronavirus në vendin tonë. 24-orëshi i fundit ka shënuar një tjetër rekord rastesh të reja, teksa nga 1744 testime janë konfirmuar 421 persona të infektuar me Covid-19.
Kryeqyteti vijon të mbetet vatra më e nxehtë e përhapjes së virusit me 180 raste dhe pas tij vjen Berati me 30 raste si dhe Elbasani dhe Korça me nga 20 raste secila.
Të larta kanë mbetur edhe humbjet e jetëve për shkak të koronavirusit. Ministria e Shëndetësisë raportoi për 7 viktima të tjera, katër prej tyre nga Tirana, një nga Lushnja, një nga Durrësi dhe një nga Skrapari.
Viktimat në 24 orët e fundit janë një 58-vjeçare nga Tirana, një 59-vjeçar nga Tirana, një 63-vjeçar nga Tirana, një 78-vjeçar nga Tirana, një 67-vjeçar nga Lushnja, një 70-vjeçar nga Durrësi, një 76-vjeçar nga Skrapari.
Një situatë e vështirë paraqitet edhe në spitalet Covid, ku numri i qytetarëve të shtruar dhe që kërkojnë një trajtim të specializuar mjekësor ka shkuar 346, 10 në terapi intensive nga të cilët 4 të intubuar.
Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 118 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 11,696 që nga fillimi i epidemisë.
Tv Klan