Drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli ka qenë e ftuar këtë të Enjte në studion e Klan News përballë gazetarit Drini Zeqo. Ajo dha disa shifra që lidhen me vendin tonë, referuar rezultateve të Censit 2023. Së pari, Dhuli theksoi se 82.5% e shqiptarëve janë pronarë të banesave të tyre. Ndërkohë që me qira janë vetëm 8.7% e tyre. Një pjesë tjetër, rreth 8.8% jetojë në banesa që kanë në bazë një marrëveshje.


“Është tradicionale që në Shqipëri, njësitë ekonomike familjare banojnë në banesat e tyre, janë pronarë të banesave të tyre.”

Sipas drejtoreshës së INSTAT, Tirana është bashkia që mbledh më së shumti banorë në vend.

“Në dy dekadat e fundit, referuar Censit 2023 kemi lëvizje të brendshme të popullsisë që kryesisht synimin e kanë drejt Tiranës, por ka edhe nga Elbasani drejt Durrësit. Tirana është bashkia që mbledh më shumë, ka lëvizje nga bashkia e Durrësit dhe Elbasanit në drejtim të kryeqytetit.”

Gjithnjë bazuar te Censi 2023, mosha mesatare në Shqipëri është 42.5 vjeç. Kështu, Shqipëria po i afrohet mesatares së Bashkimit Evropian, që është 42.7%.

“Ka një dallim të vogël mes burrave dhe grave, është më e lartë mosha mesatare për gratë sesa për burrat si dhe jetëgjatësia e tyre.”

Vitet e fundit ka një rënie të lindshmërisë në vend, megjithatë Dhuli thekson se ka një shtesë natyrore pozitive.

“Lindshmëria lidhet më të dhëna administrative që merren nga Regjistri i Gjendjes Civile. Pavarësisht se ka rënë lindshmëria, ka një shtesë natyrore pozitive. Ka ndikuar ndjekia e karrierës apo angazhimi në punë, qasja e çifteve të reja. Duhen politika më të mira për planifikim familjar.”

 /tvklan.al