Ushtria izraelite, sipas autoriteteve shëndetësore të Hamasit, ka vrarë 87 persona dhe 40 të tjerë u plagosën pas sulmit ajror në qytetin e Beit Lahiya në veri të Gazës.
Ne mesin e viktimave mësohet se ka edhe fëmijë. Sulmet nuk munguan as në Xhabalia, një prej tetë kampeve më të mëdha të enklavës.
Organizata e Kombeve te Bashkuara tha se makthi në Gaza nuk po mbaron dhe skena të tmerrshme po shpalosen në pjesën veriore mes konfliktit, sulmeve të pamëshirshme izraelite dhe një krize humanitare gjithnjë e më të përkeqësuar.
Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit, të paktën dy sulme ajrore izraelite goditën kryeqytetin e Libanit Bejrut, në jug dhe në luginën Bekaa.
Tel Avivi tha se nga sulmi në Bejrut u vranë tre komandantë të inteligjencës së Hezbollahut.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant gjatë një vizite në kufirin verior të vendit me trupat e tij që luftojnë Hezbollahun në Libanin jugor, tha se “po kalojnë nga mposhtja e armikut në shkatërrimin e tij”.
Vala e re e sulmeve vjen si kundërpërgjigje ndaj një droni që fluturoi nga Libani drejt shtëpisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Izrael.
Tv Klan