Planifikimi i pushimeve të verës përfshin jo vetëm zgjedhjen e destinacionit apo akomodimit, por edhe menaxhimin e buxhetit. Një prej metodave më të thjeshta për të kursyer para për pushimet është kampingu. Gazetari Renaldo  Salianji ka provuar që të realizojë pushime me kamping duke përdorur një  buxhet të vogël, një eksperiencë që e ndan në “Shije Shtëpie” në Tv Klan.

Renaldo Salianji: Përveç vjet, vitet e kaluara unë bëja pushime me kamping. Kam blerë pajisjet e kamping që është një investim që ti e bën njëherë, çadër, dyshek e të gjitha pajisjet, tavolina portative dhe të gjitha pajisjet që të duhen për kamping dhe kam provuar parvjet, para dy vitesh, kam provuar që të bëj bashkë me një shokun tim gazetar, Osman Stafën, të bëjmë 9 ditë pushime me 200 mijë Lekë.

Katerina Trungu: Si shkoi?

Renaldo Salianji: Harxhuam pak më shumë se 200 mijë Lekë.

Katerina Trungu: Por forma atëherë është kamping sepse ti mund të reduktosh shpenzimet.

Renaldo Salianji: Kur ne bëjmë pushime një pjesë të mirë të shpenzimeve janë për hotelin apo për vendin  ku do qëndrosh. Ne evituam këtë pjesë të shpenzimeve, ato para mundëm që t’i kursenim dhe për shembull, se kur jemi me kamping mund të ndezësh një zgarë. Ne e provuam edhe këtë mënyrë për të kursyer edhe nga hoteli, edhe nga ushqimet. Unë kisha marrë kallamin e peshkimit me vete për shembull, kapja peshk, i bënim aty te zgara dhe arritëm që të kursenim disa para.

Katerina Trungu: Paska qenë aventurë!

Renaldo Salianji: Po, ka qenë aventurë, por pas këtyre pushimeve kisha nevojë për ca pushime të tjera./tvklan.al