Qytetarët shqiptarë që jetojnë në ndërtesa të përbashkëta banimi, qofshin këto të ndërtuara përpara apo pas viteve ’90, janë të detyruar që në bazë të projektligjit të ri për administrimin e objekteve të banimit të paguajnë për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta.
Thënë ndryshe tani më nuk do të ketë pastrime individuale nga cilido prej nesh në blloqet e banimit ku jetojmë, por në hyrje të çdo pallati do të kemi një administrator. Detyra e tij do të jetë mirëmbajtja duke nisur nga gjelbërimi, pastrimi i shkalleve, sistemet elektrike apo hidraulike, ashensori, gjeneratori në rastet kur ka, garazhet, parkimet kolektive në oborret e lagjeve, kanalizimet, oxhakët, sistemet e gazit ose të formave të tjera të ngrohjes.
Doris Andoni: “Standardet që të zbatohen për administrimin e banesave, i referohen standardet për mbrojtjen kundra zjarrit sepse është një nga fenomenët të cilat mund të shkaktojë dëme dhe për këtë arsye është futur dhe ajo sigurimi i detyrueshëm për mbrojtjen kundra zjarrit, janë normat për higjenën dhe normat e tija në të cilat ne i kemi parashikuar për t’i përpunuar më tej në akte nënligjore”.
Bërja e mundur e kësaj nisme të re e propozuar nga Ministria e Transporteve më parë kërkon regjistrimin e administratoreve pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ku ndodhet dhe ndërtesa e banimit. Sakaq tarifa e mirëmbajtjes për secilin banor ose bashkëpronar të pallatit përcaktohet bazuar në shpenzimet e administrimit dhe në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi të pronarëve të njësive.
Por si do të bëhet i mundur administrimi i pallateve të vjetra, që kanë më shumë nevojë për mirëmbajtje. Në bazë të draftit, organet e qeverisjes vendore mund të mbështesin bashkëpronarët me të ardhura të ulëta me financime, ose duke vënë në dispozicion personelin teknik.
E ndërsa Ministria e Transporteve pohon se hartimi i këtij drafti erdhi pas interesit të madh për këtë formë të re shërbimi, vetë qytetarët pohojnë.
“Deri tashti nuk shfaqet ndonjë nevojë që të kesh për pallatet e vjetra, se s’ka, thash nuk ka as ashensor s’ka, as pompa s’ka. S’ka sesi, një pallat psh 5 katëshe, s’ka se si të rrijë ta paguash administratorin njëherë”.
“Kemi vetëm një që mbledh lekët, edhe administrator s’kemi”.
“Për rastin konkret unë jam i zgjedhur nga banorët pavarësisht se nuk banoj këtu, po paguaj 150 lekë të reja në muaj”.
“Nuk janë dakord të gjithë dhe kështuqë unë psh fshij ato që më takojnë mua”.
“Ne jem,i në katin e 8, paguajmë 10 mijë lekë. Po të jenë katet më lart paguajnë më shumë, katet më poshtë paguajnë më pak. Është mirë që të ketë administrator”./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro/ Xhumelina Dervishi