Adrion Pajaziti është surpriza e listës së Tetorit nga trajneri i Kombëtares Sylvinho. Tekniku brazilian ka pikasur kapitenin e përfaqësueses së 21-vjeçarëve si opsion që mund ta ndihmojë për të arritur rezultate pozitive në sfidat e Ligës së Kombeve ndaj Republikës Çeke dhe Gjeorgjisë.
Ende pa festuar ditëlindjen e tij të 22-të, Pajaziti do ketë shansin për të treguar cilësitë edhe me kombëtaren e madhe.
Tetë gola të shënuar me skuadrën U-21 në 13 ndeshje të luajtura kanë bindur stafin teknik por edhe Sylvinhon për ta pasur në mesin e 24-futbollistë të grumbulluar për këto dy takime. Performanca e mirë në ndeshjen e fundit me skuadrën shpresa, ku shënoi të dy golat në fitoren ndaj Zvicrës janë një tjetër bonus për Pajazitin që shpreson minuta.
Dy vite më parë, ai së bashku me Medon Berishën u larguan nga kombëtarja e Kosovës dhe u bashkuan me Shqipërinë U-21, teksa tashmë e gjejnë vetën në ekipin e parë. Prej 2019 Pajaziti, futbollist që luan në mesin e fushës, por edhe pas sulmuesit kryesor është pjesë e moshave të Fulham dhe ia ka dalë të jetë me ekipin U-21 të londinezëve.
Fantazisti shqiptar vendosi që të mbyllte aventurën e tij me Fulham për të nisur një të re, teksa u transferua në formë huazimi deri në fund të sezonit te skuadra kroate, e cila mund të ushtrojë edhe të drejtën e blerjes së 21-vjeçarit. Këtë sezon në elitën e Kroacisë ai ka luajtur në katër takime, për 291 minuta në total, teksa shihet si e ardhmja e mesit të fushës në Kombëtare.
Klan News