Kur mbeten edhe pak orë nga skadimi i afatit për dorëzimin e listave të deputetëve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ende dy partitë e mëdha ajo demokratike dhe selia rozë, nuk kanë bërë publik emrat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Edhe pse afati i fundit është ora 20 e mbrëmjes të dyja palët duket se do të shfrytëzojnë limitet kohore për t’i dorëzuar ato pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
E ndërsa në kampin blu gjatë paradites nuk ka pasur asnjë mbledhje kryesie, në emisionin “Opinion” të së hënës të gazetarit Blendi Fevziu, kryetari i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi deklaroi se selia blu do t’i ketë gati listat në orën 19 të mbrëmjes, çka tregon se ende është duke ju dhënë dora e fundit.
Në selinë rozë nuk kanë qenë të pakta lëvizjet e deputetëve socialistë, të cilët janë parë që në orët e para të mëngjesit. Madje në mesditë ka pasur edhe një mbledhje kryesie të kësaj partie që është shoqëruar me një deklaratë të zëdhënëses Mimi Kodheli, ku sqarohej se Edi Rama dhe drejtuesit e selisë rozë po punojnë për një listë kandidatësh premtuese.
Mimi Kodheli: “Edi Rama dhe drejtuesit e Partisë Socialiste po punojnë intensivisht për të përfunduar listën për kandidatët deputetë të partisë sonë. Ju sigurojmë që ajo do të jetë një listë premtuese. Për të futur në listë vlerat e këtyre njerëzve ka qenë një punë e vështirë, por absolutisht një kënaqësi e madhe, është nën dritën e diellit dhe e qartë për të gjithë që drejtuesit dhe anëtarët e Partisë Socialiste kanë talentin e mjaftueshëm, devotshmërinë dhe profesionalizmin e mjaftueshëm për të sjellë në jetën tonë një politikë të re, atë të ndryshimit.”
E ndërsa ora 20 shënon dhe afatin e fundit për subjektet politike lidhur me dorëzimin e 140 emrave, të cilët do të garojnë në 12 qarqe në zgjedhjet e 28 qershorit, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëhet me dije se deri tani janë depozituar lista shumëemërore të 13 subjekteve politik, mes të cilave ato të LSI-së dhe Partisë Demokracia Sociale./tvklan.al