Agron Kuliçaj, ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, u pyet këtë të enjte nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme në kuadër të hetimeve për dosjen e 21 Janarit. Ai u pyet në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit mbi pasojat e protestës së 21 Janarit 2011.

“Dhashë deklarimet e mia në raport me hetimin, lidhur me funksionet që kam kryer në atë periudhë. Dhashë shpjegimet e mia shterruese për të gjitha pyetjet që më janë bërë dhe veprimet e ligjshme që po kryeja dhe struktura policore që kam mbuluar. Për më tëpër nuk mund të komunikoj pasi më është kërkuar mos të jap shpjegime”, tha Kuliçaj për gazetarët.

Për të njëjtën dosje, të mërkurën u pyet edhe ish-kreu i Policisë, Hysni Burgaj. SPAK regjistroi një hetim për këtë dosje për akuzat e vrasjes në rrethana cilësuese, veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës dhe shpërdorimit të detyrës. Pas administrimit të dosjes nga Prokuroria e Tiranës ata kanë filluar të mbledhin dëshmi për ngjarjen e 13 viteve më parë.

Tv Klan