Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, mori pjesë në certifikimin e 21 oficerëve të policisë të cilët i bashkëngjiten rreth 600 oficerëve të tjerë që janë trajnuar nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se ky bashkëpunim është një pjesë e rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Lulzim Basha: “Trajnimi që ju keni përfunduar është një trajnim jashtëzakonisht i rëndësishëm për këtë objektiv parësor që është lufta kundër terrorizimit, por është po kështu komplementar për prioritetet tjera të policisë së shtetit siç janë lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, kundër trafikimit ilegal në tërësi dhe kundër çdo veprimtarie kriminale transkufitare. Në stadin aktual ku Shqipëria po përfundon përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, asgjë nuk ka më shumë rëndësi se sa kuadri legjislativ dhe pajisjes së kufijve tanë me teknologjinë më të fundit, i bashkëngjitet përvoja më e mirë njerëzore dhe trajnimet më të përparuara të personelit të policisë kufitare në tërësi, policisë kriminale në veçanti.”

Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar në pajisjen dhe metoda trajnimi për agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri./tvklan.al